Në bazë të Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Trafikimit me Njerëz dhe Mbrojtjen e Viktimave të Trafikimit, Qeveria e Republikës së Kosovës ka emëruar Zëvendësministrin e Punëve te Brendshme, z. Blerim Gashani, Koordinator Kombëtar Kundër Trafikimit me Njerëz.
Blerim Gashani u lind më 25 dhjetor 1974 në fshatin Tërstenik, komuna e Drenasit. Shkollimin fillor e kreu në fshatin e tij, ndërsa atë të mesëm në Drenas. Fillimisht, ka studiuar për Gjuhë dhe Letërsi Angleze në Universitetin e Prishtinës, pastaj studimet themelore për Komunikim Masiv dhe Gazetari i kreu në Universitetin AAB, ku është duke përfunduar studimet Master.
Midis datës 9 dhjetor 1994 dhe 27 shkurt 2000, ka punuar si mësimdhënës në shkollën fillore “Zenel Hajdini”, Tërstenik. Nga 28.02.2000 deri më 16.12.2008, ka punuar në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) dhe pastaj, ndërmjet 23 dhjetorit 2008 dhe 31 korrikut 2014, ka punuar për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).
Nga data 1 gusht 2014 e deri më 15 prill 2021, ka punuar për NI-CO, një organizatë e Mbretërisë së Bashkuar, që ka implementuar shumë projekte në Republikën e Kosovës, sidomos të lidhura me siguri dhe drejtësi. Më 16 prill 2021 është emëruar Zëvendësministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme, aty ku, përveç detyrave tjera, është edhe Koordinator Kombëtar për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, Koordinator Kombëtar për Anti-Trafikim, Koordinator Kombëtar për Armët e Vogla dhe të Lehta si dhe Koordinator Kombëtar për Migrim.
Gashani ka botuar recensione dhe ka përvojë të mirë si redaktor, korrektor dhe lektor i gjuhës standarde shqipe në botime të ndryshme akademike e publicistike. Deri më tani, përveç qindra artikujve gazetareskë të botuar në median e shkruar dhe elektronike të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ai ka botuar edhe dy libra: “Vjeshtë e ngrime” – në bashkautorësi, më 2017, dhe “Kronikë e rrënimit të Kosovës”, më 2020.
Është i martuar dhe ka dy fëmijë.
Detyrat dhe përgjegjësitë si Koordinator Kombëtar Kundër Trafikimit me Njerëz janë të përcaktuara me Ligjin për PARANDALIMIN DHE LUFTIMIN E TRAFIKIMIT ME NJERËZ DHE MBROJTJEN E VIKTIMAVE TË TRAFIKIMIT.
Detyrat dhe përgjegjësitë janë:
Koordinatori kryeson Autoritetin Kombëtar. Koordinatori bashkëpunon vazhdimisht me autoritetet e përcaktuara në nenin 6 të këtij ligji, dhe me autoritetet e tjera të zbatimit të ligjit, më qëllim të parandalimit dhe luftimit të trafikimit me njerëz dhe mbrojtjes së viktimave të trafikuara.
Koordinatori me mbështetjen e Sekretariatit për Monitorim dhe Evaluim të Strategjive Nacionale, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme zhvillon, koordinon dhe monitoron zbatimin e mekanizmit kombëtar të referimit për të siguruar identifikimin e duhur, referimin, ndihmën dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit me njerëz, përfshirë viktimat fëmijë, dhe për të siguruar se ata pranojnë ndihmën adekuate duke mbrojtur të drejtat e tyre njerëzore.
Qeveria siguron burime të mjaftueshme financiare dhe resurse të mjaftueshme njerëzore për Koordinatorin, Autoriteti Kombëtar dhe sekretarinë, për të kryer aktivitetet në vazhdim:
Kordinatori Kombëtar do të veprojë si Raportuesi Kombëtar në mënyrë që të kryejnë vlerësime të trendeve të trafikimit me njerëz dhe të masë rezultatet e veprimeve antitrafikim, duke përfshirë mbledhjen e statistikave në bashkëpunim të ngushtë me organizatat relevante të shoqërisë civile, aktive në këtë fushë.