Historiku i Qendrës:
Themelimi i të ashtuquajturës më herët “Shtëpisë së Përkohshme të Sigurt për Strehimin e Viktimave të Trafikimit” bazohet fillimisht në Memorandumin e Mirëkuptimit midis Organizatës për Siguri dhe bashkëpunim në Evropë (OSBE), dhe UNMIK, të vitit 2003. Pastaj me themelimin e Ministrisë së Drejtësisë, kjo Strehimore ka kaluar në kuadër të Departamentit për Qasje në Drejtësi. Me datën 26.09.2011 ishte nënshkruar Memorandumi i Bashkëpunimit në mes të Ministrisë së Drejtësisë (MD) dhe Ministrisë se Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) me ç’rast kjo Strehimore ka kaluar nga MD në MPMS.
Në vitin 2010, Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes Programit IPA 2010/022-452, ka fituar projektin “Përforcimi i Institucioneve në Luftë kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore”. Përmes këtij Projekti është ndërtuar objekti i ri i kësaj Qendre lokacioni i së cilës, për shkaqe të sigurisë është konfidencial.
Me hyrjen në fuqi të Ligjit Nr. 07/L-001 mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës se Kosovës për vitin 2020, Strehimorja shtetërore ishte vendosur në Kodin e veçantë Buxhetor në Ministri të Drejtësisë (MD) dhe rrjedhimisht kishte kaluar në këtë Ministri. Përderisa me 2 janar të vitit 2022, përmes Marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të Ministrisë së Drejtësisë me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Qendra ka kaluar në MPB, përkatësisht në kuadër të Departamentit për Ri-integrimin e Personave të Riatdhesuar dhe Integrimin e të Huajve.
Detyrat dhe përgjegjësitë
Qendra për Strehimin, Mbrojtjen dhe Rehabilitimin e Viktimave të Trafikimit me Qenie Njerëzore punon 24 orë në ditë, në 7 ditë të javës, në të cilën akomodohen/strehohen viktimat e trafikimit me rrezikshmëri të lartë dhe të mesëm të sigurisë, si dhe dëshmitare të mbrojtura në cilësinë e viktimës së trafikimit.
Qendra vendosë të drejtat e viktimave të trafikimit dhe viktimave të supozuara në fokus të çdo aktiviteti dhe shërbimi që ofron.
Viktimat e identifikuar si të trafikuara, të supozuara trajtohen në mënyre të barabartë pa diskriminim në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal gjatë kohës sa qëndrojnë në Qendër.
Kapaciteti i Qendrës
Qendra është e ndërtuar sipas Standardeve të BE-së e cila ka kapacitet të strehojë dyzet (40) përfitues\e, viktima të trafikimit. Qendra ka në dispozicion njëzet e pesë (25) shtretër për femra, dy apartamente me kapacitet prej dhjetë (10) shtretërve në rastet e viktimave të cilat janë nëna me fëmijë, si dhe pavijoni i meshkujve me kapacitet prej pesë (5) shtretërve. Mesatarja e numrit të viktimave të strehuara gjatë një viti në strehimore është 26, ku shumica janë të mitur.
Nëpunësit të cilët janë të angazhuar në këtë Qendër janë të profileve të ndryshme, siç janë: infermiere, sociologe, pedagoge, ekonomiste dhe juriste.
Shërbimet e ofruara nga Qendra
Baza ligjore
Qendra funksionon sipas Rregullores (MPMS) nr. 01/2016 për funksionimin dhe punën në Strehimoren për mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave të trafikimit me qenie njerëzore, në nivel të mesëm dhe të lartë të rrezikshmërisë, e cila tani është në fazën e plotësim/ndryshimit.
Puna, detyrat dhe përgjegjësitë e Qendrës ndërlidhën me shumë Ligje në fuqi siç janë:
1. Kodi Penal i Republikës së Kosovës;
2. Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Kosovës;
3. Kodi i Drejtësisë për të Mitur;
4. Ligji për Parandalimin dhe Luftimin e trafikimit me njerëz dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit;
5. Ligji për Mbrojtjen e Dëshmitarëve;
6. Ligji për Policinë;
7. Ligji për të Huajt, etj.