Kordinatori Kombëtar


Në bazë të Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Trafikimit me Njerëz dhe Mbrojtjen e Viktimave të Trafikimit, Qeveria e Republikës së Kosovës ka emëruar Zëvendësministrin e Punëve te Brendshme, z. Blerim Gashani, Koordinator Kombëtar Kundër Trafikimit me Njerëz.

Blerim Gashani u lind më 25 dhjetor 1974 në fshatin Tërstenik, komuna e Drenasit. Shkollimin fillor e kreu në fshatin e tij, ndërsa atë të mesëm në Drenas. Fillimisht, ka studiuar për Gjuhë dhe Letërsi Angleze në Universitetin e Prishtinës, pastaj studimet themelore për Komunikim Masiv dhe Gazetari i kreu në Universitetin AAB, ku është duke përfunduar studimet Master.

Midis datës 9 dhjetor 1994 dhe 27 shkurt 2000, ka punuar si mësimdhënës në shkollën fillore “Zenel Hajdini”, Tërstenik. Nga 28.02.2000 deri më 16.12.2008, ka punuar në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) dhe pastaj, ndërmjet 23 dhjetorit 2008 dhe 31 korrikut 2014, ka punuar për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).

Nga data 1 gusht 2014 e deri më 15 prill 2021, ka punuar për NI-CO, një organizatë e Mbretërisë së Bashkuar, që ka implementuar shumë projekte në Republikën e Kosovës, sidomos të lidhura me siguri dhe drejtësi. Më 16 prill 2021 është emëruar Zëvendësministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme, aty ku, përveç detyrave tjera, është edhe Koordinator Kombëtar për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, Koordinator Kombëtar për Anti-Trafikim, Koordinator Kombëtar për Armët e Vogla dhe të Lehta si dhe Koordinator Kombëtar për Migrim.  

Gashani ka botuar recensione dhe ka përvojë të mirë si redaktor, korrektor dhe lektor i gjuhës standarde shqipe në botime të ndryshme akademike e publicistike. Deri më tani, përveç qindra artikujve gazetareskë të botuar në median e shkruar dhe elektronike të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ai ka botuar edhe dy libra: “Vjeshtë e ngrime” – në bashkautorësi, më 2017, dhe “Kronikë e rrënimit të Kosovës”, më 2020.  

Është i martuar dhe ka dy fëmijë.    

Detyrat dhe përgjegjësitë si Koordinator Kombëtar Kundër Trafikimit me Njerëz janë të përcaktuara me Ligjin për PARANDALIMIN DHE LUFTIMIN E TRAFIKIMIT ME NJERËZ DHE MBROJTJEN E VIKTIMAVE TË TRAFIKIMIT.

Detyrat dhe përgjegjësitë janë:

Koordinatori kryeson Autoritetin Kombëtar. Koordinatori bashkëpunon vazhdimisht me autoritetet e përcaktuara në nenin 6 të këtij ligji, dhe me autoritetet e tjera të zbatimit të ligjit, më qëllim të parandalimit dhe luftimit të trafikimit me njerëz dhe mbrojtjes së viktimave të trafikuara.

Koordinatori me mbështetjen e Sekretariatit për Monitorim dhe Evaluim të Strategjive Nacionale, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme zhvillon, koordinon dhe monitoron zbatimin e mekanizmit kombëtar të referimit për të siguruar identifikimin e duhur, referimin, ndihmën dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit me njerëz, përfshirë viktimat fëmijë, dhe për të siguruar se ata pranojnë ndihmën adekuate duke mbrojtur të drejtat e tyre njerëzore.

Qeveria siguron burime të mjaftueshme financiare dhe resurse të mjaftueshme njerëzore për Koordinatorin, Autoriteti Kombëtar dhe sekretarinë, për të kryer aktivitetet në vazhdim:

  • koordinimin e zbatimit të këtij ligji, përfshirë hartimin e udhëzimeve, rregulloreve, e akteve nënligjore të tjera, për t’u miratuar nga Qeveria;
  • hartimin dhe zbatimin e vazhdueshëm të Strategjisë Nacionale dhe Planit të Veprimit, që përmban një pako gjithëpërfshirëse të masave për parandalim dhe luftimin e trafikimit me njerëz si dhe të koordinojë dhe të monitorojë implementimin e tij;
  • promovimin e hulumtimeve dhe caktimin e procedurave për të analizuar shkallën, natyrën dhe format e reja si të trafikimit vendor ashtu edhe atë ndërkufitar dhe identifikimin e praktikave më të mira për parandalimin dhe luftimin e trafikimit me njerëz dhe ri-integrimin e viktimave të trafikuara, përfshirë mbledhjen dhe ofrimin e të dhënave për numrin e viktimave të ndara sipas gjinisë si dhe të dhëna të tjera të rëndësishme për të analizuar shkallën, natyrën dhe formën e trafikimit.
  • lehtësimin e bashkëpunimit mes autoriteteve dhe akterëve të ndryshëm qeveritar dhe mes akterëve qeveritar dhe joqeveritar, përfshirë inspektorët e punës, Odës Ekonomike të Kosovës dhe palëve të tjera relevante të tregut të punës; - lehtësimin e bashkëpunimit mes vendeve të origjinës, transitit dhe destinimit;
  • veprimin si pikë qendrore për institucionet kombëtare dhe palëve të tjera shtetërore e joshtetërore dhe organeve ndërkombëtare për përpjekjet e Qeverisë kundër trafikimit me njerëz;
  • sigurimin që masat kundër trafikimit të jenë në harmoni me normat ekzistuese dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut që parashihen me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e tjera relevante.

Kordinatori Kombëtar do të veprojë si Raportuesi Kombëtar në mënyrë që të kryejnë vlerësime të trendeve të trafikimit me njerëz dhe të masë rezultatet e veprimeve antitrafikim, duke përfshirë mbledhjen e statistikave në bashkëpunim të ngushtë me organizatat relevante të shoqërisë civile, aktive në këtë fushë.


Files for download