Plani Kombëtar i Veprimit për identifikimin dhe trajtimin e fëmijëve në situatë rruge
Më 11 dhe 12 qershor 2024, Koordinatori Kombëtar Kundër Trafikimit me Njerëz, në bashkëpunim me Terre des Hommes në Kosovë, organizoi punëtorinë dy-ditore për finalizimin e Planit Kombëtar të Veprimit për identifikimin dhe trajtimin e fëmijëve në situatë rruge, lëmoshë-kërkues dhe fëmijëve që braktisin shkollën (2024-2025).
Plani Kombëtar i Veprimit paraqet një dokument politik, strategjik dhe profesional, i cili adreson sfidat e identifikuara të fëmijëve në situatë rruge nëpërmjet zotimit dhe unifikimit të reagimit nga institucionet qendrore dhe lokale në tërë territorin e Kosovës.
Ky dokument përmbajtësor, përmes disa objektivave dhe aktiviteteve të detajuara, synon parandalimin, mbrojtjen, trajtimin dhe riintegrimin e fëmijëve dhe familjarëve në situatë rruge, lëmoshë kërkuese dhe që braktisin shkollën. Finalizimi i planit, respektivisht objektivave dhe aktiviteteve, do të realizohet duke marrë parasysh sfidat e identifikuara nga anëtarët e grupit punues, raportet e realizuara viteve të kaluara si dhe studimin e fundit të realizuar nga zyra e UNICEF në Kosovë.
Ky aktivitet po zbatohet në kuadër të projektit “Mbrojtja e fëmijëve të cenueshëm në Kosovë”, i mbështetur financiarisht nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe implementohet nga UNICEF në Kosovë në partneritet me Terre des Hommes.


